Qendra Kinematografike e Kosovës dhe e Shqipërisë do të jenë pjesë e tregut të madh ‘Marche Du Film’ të festivalit prestigjioz të Kanës nga 8-17 maj 2018. Realiteti i këtij bashkëpunimi mes dy vendeve është filmi “Derë e hapur” apo “Open door”, me regji të Florenc Papas dhe producent Eno Milkanin që do të jetë në Kanë si pjesë e maketit të filmit si “work in progress”, ose si film i cili është ende në fazën e prodhimit…

Prej historisë së filmit të Bujar Alimanit “Amnistia”, një produksion ekonomik, që doli me një çmim për aktoren më të mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Kanë, histori që ta tejkalojë këtë “sukses” të kinemasë shqiptare jashtë kufijve nuk ka. Për treg nuk bëhet fjalë, as brenda kryeqytetit shqiptar. Ndërsa një situatë më dinamike dhe insistuese ka kinemaja e Kosovës, dhe përgjigjja ishte kur filmi me metrazh të shkurtër “Shok” me regji të anglezit Xhemi Donogju, arrin të jetë një prej kandidatëve kryesorë për Oscar por pa mundur të fitojë, duke marrë një prezencë të jashtëzakonshme mediatike. Në këto dy kulminacione në këtë dhjetëvjeçar kinemaja e të dy vendeve ka folur sipas “gjuhëve” të tyre, kur domeni kinematografik i Kosovës ka qenë më i fortë ndoshta edhe për shkak të gjetjes së historisë, që e kishin në prag të shtëpisë, atë të luftës. Për kinemanë e Shqipërisë “lufta e ftohtë”, pra diktatura, dhe tranzicioni i gjatë prodhuan histori minimaliste, pothuaj pa prekur dramën e fortë, ashtu si bëri kinemaja e Kosovës. Kjo e jona e ka akoma të brishtë sistemin e të quajturit industri për shkak të traumave financiare nëpër të cilën duhet të kalojë filmi, e aq më pak të shpërndahet. Kjo është e vetmja pikë ku takohet me atë të Kosovës duke hapur “traun” e kufijve vetëm viteve të fundit duke pranuar produksione në të dy anët. Vetëm në kinema shkon ky realitet i bashkëpunimit konkret mes dy vendeve, e që dallon qartë se ka ardhur nga nxitja e kushteve ekonomike, në përfaqësimin e përbashkët, se sa vullneti i politikës.



Nga ky realitet ka rrjedhur edhe ngjarja e përbashkët, ku Kosova dhe Shqipëria prej vitit 2017 vazhdojnë së bashku të jenë prezentë një prej tregjeve më të mëdha në botë të filmit “Marche Du Film” të festivalit prestigjioz të Kanës, nga datat 8-17 maj.

Lajmi bëhet i ditur nga qendrat kinematografike kombëtare të të dy vendeve duke u vendosur në një pavijon, së bashku. Këtë vit pavijoni do të jetë në një hapësirë më të mirë dhe pranë shteteve me industri më të zhvilluar të filmit. Pavioni i dy vendeve do të jetë i vendosur afër shteteve të Europës Juglindore, Republikës Çeke, Sllovakisë, Amerikës, Gjermanisë etj.

Sipas njoftimit për shtyp të QKK-së, në ‘Marche Du Film’ do të prezantohen të rejat e kinematografisë kosovare, si me anë të katalogut, ashtu edhe duke i prezantuar të gjithë filmat e mbështetur nga QKK-ja para producentëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të fondeve të filmit, të festivaleve, agjentëve të shitjes, distributorëve etj.

“Gjatë qëndrimit në Kanë do të mbahen shumë takime me partnerë ndërkombëtarë të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivaleve të mëdha ndërkombëtare, producentë e distributorë të ndryshëm ku edhe pritet të nënshkruhen disa marrëveshje”, thuhet në njoftimin për mediat të të dy qendrave.

Filmi “Derë e hapur”, në festivalin e Kanës

Një film dhe histori tërësisht shqiptare në Kanë. “Derë e hapur” apo “Open door”, një bashkëpunim midis Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë, me regjisor Florenc Papas dhe producent Eno Milkanin do të jetë pjesë e maketit të filmit si “work in progress”, ose si film i cili është ende në fazën e prodhimit. Derë e Hapur me regji të Florenc Papas është një projekt filmik që ka filluar në verën e vitit 2015. I mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë (QKK) në vitin 2016, skenari i këtij filmi u pranua në First Film First, ku regjisori Papas pati mundësi ta zhvillojë atë. Më pas projekti u zhvillua në programe të tjera si Midpoint, Priforum dhe Eastweek. Më pas në fillim të vitit 2017 realizoi një pitch (prezantim) në Sofia Meetings.

Ky projekt gjithashtu ka mbështetjen e QKK Kosovë dhe shumë forumeve të tjera ballkanike dhe europiane si SEE cinema Network, StarMediaFilm Molodist Boat Meeting’s ku u vlerësua si projekti më i mirë. Së fundmi në shtator të vitit 2017 “Derë e Hapur” fitoi mbështetjen financiare nga Eurimages, duke konfirmuar edhe njëherë kualitetin e këtij projekti ambicioz, nga ky institucion i rëndësishëm europian. Agora një nga platformat më të rëndësishme që mbështet e promovon projekte filmike nga Greqia dhe rajoni në pjesën e postproduksionit që zhvillohet në Nëntor gjatë Festivalit të Selanikut ka përzgjedhur “Derë e Hapur” për ta paraqitur në festivalin e Kanës, dhe prezantuar përpara agjentëve të shitjeve, distributorëve dhe programuesve të festivaleve.

http://www.mapo.al/tregu-i-filmit-ne-kane-kosova-dhe-shqiperia-shesin-bashke-ne-marche-du-film/