Projekti i filmit “Open Door” (Derë e Hapur) është përzgjedhur nga “Trieste Film Festival 2017”. Ky projekt pritet të marr jetë vitin, që vjen dhe skenari është shkruar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja. I vlerësuar si projekt për pjesëmarrjen në këtë festival të rëndësishëm të filmit, bashkëskenarist dhe regjisor Florenc Papas e vlerëson këtë përzgjedhje. Sipas tij, festivali i Triestes është i rëndësishëm me një pjesëmarrje të lartë të të ftuarve. “Persona të industrisë kryesisht europiane gjenden aty dhe kjo është një mundësi e mirë për kineastë, që kanë projekte filmike. Mundësi për ti takuar dhe për të krijuar bashkëpunime të mundshme në të ardhmen. Përpos programit, që unë jam zgjedhur me projektin “Derë e Hapur”, në Eastweek i cili merret kryesisht me zhvillimin e projektit në përgjithësi, do të jetë një mundësi e mirë për mua të prezantoj projektin më gjerësisht në industri, duke shpresuar në mundësi të reja dhe pse jo në bashkëprodhime. Mendoj që qenia prezent në festivale të ndryshme tregon interes për atë çka ti bën dhe ti arrin të kuptosh, ku janë tendencat e kinemasë sot”, tregon regjisori Papas për projektin e filmit artistik të metrazhit të gjatë. Ky projekt vjen si një bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Italisë, me regjisor Florenc Papas dhe producent Eno Milkani, shtëpinë kinematografike “Bunker Film+”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. “Së fundi jemi përkrahur nga QKK në Shqipëri në fondin e veprës së parë dhe gjej rastin të falenderoj bordin miratues dhe në veçanti stafin e qendrës dhe z. Ilir Butka për mbështetjen e vazhdueshme. Gjithashtu ne jemi financuar edhe nga QKK në Kosovë me bashkëproducent Besnik Krapi. Financuar nga See cinema network nga fondi i qendrave të filmit të rajonit. Fitues në Molodoist Boat meeting si best pitch në vlerën prej 10000 dollarë”, vijon më tej mbi projektin regjisori.

“Derë e Hapur”

“Derë e Hapur” tregon historinë e dy motrave që do të ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. “Derë e Hapur”, personazh kryesor ka Elmën, që është një vajzë e re shqiptare e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës tashmë është në burg. Pas depërtimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dy motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional. Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do bëj ç’të mundet për të mos shkuar atje. Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar të Rudinës. Sipas regjisorit Florenc Papas, personazhet e tjera janë episodike, por me rëndësi në këtë histori që sjell filmi. Më tej ai tregon se ideja për skenarin e këtij projekti filmi ka qenë i hershëm. “Si insipirim për skenarin jam bazuar në një histori të ndodhur shumë vite më parë. Gjithmonë më ka ngacmuar përplasja midis tradicionales sonë si shoqëri dhe realitetit të sotëm, i cili është më kompleks se sa mund ta quaj modern. Sot në Shqipëri jetojnë dy breza, ajo e prindërve tanë të cilët janë rritur në sistemin komunist dhe brezi i ri lindur në demokraci aty ku dhe unë bëj pjesë. Kjo përplasje midis këtyre brezave është aq e pranishme sot kudo edhe pse e vështirë ta pranojmë. “Derë e Hapur” merret me jetë tematike edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera- herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri”, pohon ai. Por ndërsa ky vit po mbyllet me pjesëmarrjen e këtij projekti në festivalin Triestes që zhvillohet në janar, vitin që vjen projekti do të nisë xhirimet për të përcjellë historinë e tij.

https://sot.com.al/opinion-editorial/%E2%80%9Cder%C3%AB-e-hapur%E2%80%9D-nis-s%C3%AB-shpejti-xhirimet-historia-e-dy-motrave-p%C3%ABrball%C3%AB-sistemit